Më 4 nëntor Barack Obama u fut në histori si presidenti i parë me ngjyrë i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por tani ai do të çelë një tjetër kapitull në histori, duke zgjedhur prokurorin e parë të përgjithshëm afro amerikan.

Burime nga partia demokrate thonë se ish-zëvendës prokurori nën administratën e Clintonit,  Eric Holder ka pranuar ofertën për këtë post të lartë dhe gjithçka është gati për aprovimin në senat, dhe mbështetjen bipartizane. 

57-vjecari  Holder, i diplomuar në Kolumbia University u takua me Barack Obamën katër vjet më parë. Që atëherë i biri i emigrantëve  nga Barbados fitoi një vend në rrethin e brendshëm të demokratëve.  

Mbi të rëndon një deklaratë e thënë në nxitim për një dhurues të partisë demokrate Mark Rich, i cili akuzohej për evazion fiskal. Për Richin, Holder tha se ishte në favor të një faljeje presidenciale.

Deklarata shkaktoi një sërë protestash dhe hetimesh nëse ky prokuror ishte i motivuar politikisht. Megjithatë avokatë dhe prokurorë në Uashington mendojnë se zgjedhja e Holderit në postin më të lartë të drejtësisë është e duhura./tvklan.al