Gjatë lidhjes për Klan News gazetari Glent Tafaj, i cili ndodhet në Dortmund, tha se Jasir Asani është drejt rikuperimit.

Tafaj: “Asani ka vetëm një goditje në trinë, mjekët thonë se nëse nuk ka përkeqësime dhe vijon kështu, do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Dje ishte në ditë e qetë dhe mjediset ku qëndrojnë futbollistët ishin të “pushtuara” nga familjarët e tyre.

Sot është një regjim i rreptë nga trajneri dhe sot është një stërvitje e plotë, për të gjithë lojtarët. Në orën 16:00 zhvillohet seanca stërvitore, në orën 20:00 është planifikuar të jetë darka dhe rreth orës 22:00 futbollistët në dhomat e tyre. Në mëngjes rreth orës 80:00-08:30, lojtarët e Kombëtares do të nisen drejt Hamburgut.

Stërvitja e Kombëtares nesër në Hamburg nuk do të kryhet në stadiumin ku do të luhet ndeshja por në stadiumin e ekipit të St Paul-it. Ky është një vendim i UEFA që nuk do të lejojë të preket fusha ku do të luhet ndeshja e së mërkurës.

Silvinjo ka paraqitur surpriza në formacione, për shembull pritej të niste Ismajli ndaj Italisë, por u aktivizua Arlind Ajeti”.