Ministria e Financave ka gati buxhetin afatmesëm për vitin 2009-2011, kuadri i rishikuar makro-ekonomik dhe fiskal për tre vitet e ardhshme është prezantuar përpara mediave nga kryeministri Berisha, i cili e ka cilësuar këtë buxhet afatmesëm si projekt të mandatit të dytë Berisha.

Sali Berisha: “Të diskutojmë probleme madhore siç është kuadri makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2009-2011, pra i bie siç e shihni mandati i dytë dhe kjo për faktin se për të respektuar plotësisht votën e shqiptarëve duket se “four years more” do të bëhet realitet.”

Për kryeministrin performanca shumë e mirë fiskale siç e ka cilësuar ai realizimin e të ardhurave për vitin 2008 do të tejkalohet gjatë mandatit të ardhshëm për të cilin Berisha duket i sigurt se do ta rifitojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Sali Berisha: “Viti 2008 është viti i kthesës më të madhe në historinë financiare buxhetore të këtij vendi është viti në të cilin buxheti i Shqipërisë kapi vlerat 4.2 miliard dollar. Tani e tutje  mundëson këtij vendi të ndërmarrë çdo lloj projekti në territorin e tij, autostrada, porte, aeroporte çfarëdo që të jetë e nevojshme për popullatën e vendit.”

Nga rrugët investimet për të cilat nuk do të mungojnë, vëmendja e qeverisë gjatë viteve të ardhshme sipas Berishës do të përqendrohet nga furnizimi me ujë të pijshëm dhe arsimi, dy prioritetet e buxhetit afatmesëm 3 vjeçar. Kryeministri nuk ka harruar të vërë në dukje, se qeveria socialiste ka dështuar në hartimin politikave arsimore.

Sali Berisha: “Ne synojmë të finalizojmë sistemin modern të rrugëve kombëtare të vendit, këtë përkushtim total që kemi dëshmuar gjatë këtij mandati e dëshmojmë në rrugë, ne duhet të kthehemi në një përpjekje të jashtëzakonshme për furnizimin me ujë. Për sa kohë që shqiptarët të votojnë Sali Berishën do ta kenë të qatë, se arsimi do të mbetet përparësia ime më madhore. E lashë në 96-tën me 4.2% të buxhetit të shtetit e gjeta jetim me 2.1% të buxhetit të shtetit.”

 Po shkoj prapë te 4.2 dhe më tutje. Vëmendje të veçantë sipas Berishës në 3 vitet e ardhshme do t’i kushtohet edhe strehimit dhe jo vetëm për komunitetin rom, por për të gjithë njerëzit në nevojë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Metlin Kepi