Lejla Kusturica qëndron e menduar në brigjet e lumit Neretva në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo pyet veten nëse kjo do të jetë hera e fundit që ajo do të shohë turistët që merren me sportin e rafting në ujërat e pastër kristal të këtij lumi.

Në rrjedhën e sipërme të tij, punëtorët po punojnë me ritme të shpejta për ndërtimin e një hidrocentrali, por aktivistët e mjedisit shqetësohen se ky vendim i autoriteteve boshnjake do të ndikojë në ekosistemin e lumit. Mes atyre të shqetësuar është edhe aktivistja Lejla Kusturica.

 “Ndoshta ky është rafting i fundit që ne do të shohim në lumin tonë Neretva sepse Neretva jonë dhe ne të gjithë bashkë me të jemi të rrezikuar nga  ky projekt në kuptimin ekologjik, ekonomik dhe të sigurisë. Çfarë do të thotë? Kjo është një zonë e cila duhet mbrojtur. Megjithatë, për shkak të funksionimit të hidrocentralit, rrezikohet e gjithë jeta e florës dhe faunës. Trofta e Adriatikut, kërcënohet me zhdukje. Në aspektin ekonomik, njerëzit sigurojnë jetesën nga sporti i rafting. Megjithatë, ekziston rreziku që lumi Neretva të ndryshojë plotësisht dhe atëherë ne mund të mos e bëjmë më këtë sport ujor.”

Vetë turistët që vijnë të shohin këtë lum janë të mrekulluar nga bukuritë natyrore.

“Ne jemi këtu për herë të parë dhe ky lumë është vërtet i mahnitshëm, gjithashtu e gjithë natyra dhe rafting që organizohet rreth këtij lumi prej të cilës ekonomia lokale përfiton shumë prej tij. Pra, është vërtet e mahnitshme se si ky lumë po krijon një atmosferë kaq të këndshme.”

Një pjesë e turistëve të cilët kanë mësuar për planet e autoriteteve për ndërtimin e hidrocentralit janë të shqetësuar.

 “Kur mësova për këto punime që janë planifikuar tani, mendoj se jo vetëm për ekonominë vendase, por edhe nga perspektiva e biodiversitetit, mendoj se kjo është me të vërtetë një vendim i gabuar dhe do të shkaktojë shumë dëme. Ne kemi shumë projekte në Francë dhe Belgjikë që po heqin këto pengesa , për shembull për vendet për troftat ku ato shkojnë për t’u riprodhuar dhe më pas kthehen , kështu që kjo siguron vazhdimësinë e habitateve. Ky lum është shumë i rëndësishëm për të mbajtur të gjitha këto habitate dhe unë mendoj se ne i kemi bërë të gjitha këto gabime në të kaluarën dhe tani po përpiqemi të mësojmë dhe t’i rregullojmë këto gabime, dhe kur shoh atë që ka ndodhur këtu, mendoj se po kthehemi pas në kohë.”

Edhe për ata që organizojnë turet me sportin e rafting janë të shqetësuar.

“Dua ta dini se ne mund të pimë ujë nga ky lumë dhe ne merremi me sportin e rafting poshtë lumit me ujë të pijshëm. Nuk jam i sigurt nëse kjo ndodh gjëkundi tjetër në Evropë.”

 “Nuk do të jetë më një lumë me ujë të pijshëm, me vetë ndërtimin e këtij hidrocentrali. Pra, a mund të llogarisë dikush çmimin kur shkoni për rafting në një lumë me ujë të pijshëm dhe një lumë nga i cili nuk mund të pini? Ky është një dëm i madh dhe një humbje e madhe, për të mos përmendur pasojat që do të ndodhin kur niveli i lumit Neretva të fillojë të luhatet dhe të lëkundet.”

“Energy Financing Team” është kompani që fitoi koncesionin prej 120 milionë për të ngritur hidrocentralin 35 megavat në vitin 2009. Kompania me Sinohydro është zgjedhur për ta ndërtuar atë.

Drejtuesit e kësaj kompanie i thanë “Reuters” se kanë marrë hapa për të mbrojtur mjedisin gjatë gjithë projektit, i cili do të vihet në zbatim në fund të vitit. Ministria e qeverisë rajonale për ndërtimin dhe ekologjinë thotë se vendi i hidrocentralit tashmë është zhvendosur një herë në përgjigje të rreziqeve gjeologjike në zonën e prirur ndaj rrëshqitjeve të dheut.

Megjithatë reagimet e qeverisë apo edhe të vetë kompanisë që ka marrë përsipër zbatimin e projektit nuk i qetësojnë dot aktivistët dhe shumë banorë në qytetin jugor të lumit Konjic, të cilët e kanë ndërtuar jetën  falë sektorit të turizmit.

 “Arsyeja e parë pse ky hidrocentral nuk duhet ndërtuar është për shkak të natyrës tektoniko-sizmike sepse kjo zonë është shumë sizmike dhe gërmimet janë aktualisht në malin Treskavica, që sipas etimologjisë së fjalës do të thotë një zonë që lëkundet për shkak të tërmeteve të shpeshta.”

Bosnjë–Hercegovina e cila merr 40% të energjisë elektrike nga hidrocentralet dhe pjesën tjetër nga termocentralet me qymyr  është një nga vendet e pakta në rajon me kapacitet të mjaftueshëm për të eksportuar energji.

Klan News