Gjatë një interviste në studion e Klan News, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se në mbledhjen e thirrur nga kryeministri Edi Rama u diskutuar dhe për videot e shpërndara, të cilat tregojnë plazhet e boshatisura dhe apelojnë për çmimet e larta.

Dredha tha se çmimet duhet të jenë në përputhje me cilësinë e shërbimit. Ai tha gjithashtu se mesazhi i kreut të qeverisë ishte shumë i qartë. Ai sugjeroi një fushatë ndërgjegjësuese me të gjithë operatorët turistikë, njësitë akomoduese, baret dhe restorantet për të patur një bashkëpunim, për një zhvillim afatgjatë në turizëm.

“Unë them gjithmonë, që çmimi duhet të jenë në paralel me cilësinë e shërbimit. Pra duhet ta meritojë çmimin qytetari, turisti, klienti kur edhe niveli i shërbimit të jetë në po atë nivel, atëherë po që ka sens. Ka shumë hotele apo restorante që mund të ketë çmime të rritura në krahasim me vitin e shkuar, por është gjithmonë në atë kontekstin që ka edhe qeveria shqiptare, që kemi edhe ne si bashki apo qytetarë”.

“Ne duam të bëjmë një zhvillim në turizëm që është afatgjatë. Nëse mendojnë se duan të përfitojnë dy lekë më shumë për dy ditë, apo për një muaj, nuk është se çfarë ne duam. Në fund të ditës ajo ka atë efektin bumerang, pra mund të fitosh pesë lekë më shumë sot, por në afatgjatë nuk të kthehen më turistët, qoftë klientët apo vizitorët që vijnë nga rrethet, brenda Shqipërisë. Pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe atë që tha kryetari i qeverisë, zoti Rama, ishte në mesazh shumë i qartë, nuk tha shkoni dhe bëni një fushatë për t’i kthyer mendjen gjithë bizneseve”.

Dredha gjatë fjalës së tij tha se nuk është në dorën e bashkisë që të përcaktojë çmimet, por sigurisht që kjo e fundit duhet të bëjë një fushatë ndërgjegjësuese, në mënyrë që të mos ketë abuzime me çmimet e shportës.

“Absolutisht është një fushë në formë sugjerimi që ne mund t’u japim atyre dhe kështu ne mund të bëjmë një bashkëpunim me njëri-tjetrin, pushteti vendor, pushteti qendror dhe patjetër të gjitha pushtet që operojnë. Këtu jemi në një treg të lirë dhe absolutisht që çmimet nuk i vendos bashkia, duhet të bëjmë një fushatë konsultative, ndërgjegjësuese dhe kam përshtypjen që kaq ne kemi fuqinë ta bëjmë dhe ne pastaj mund të marrim shembuj nga bashki të tjera përtej kufijve tanë, që aplikohen në Itali, Spanjë apo Austri. Por kjo duhet të bëhet me një kërkesë nga ana jonë si bashki për ta kaluar në Këshillin Bashkiak, të paktën të luajë me çmimet e shportës. Të mos abuzohet me çmimet e shportës është shumë e rëndësishme, sepse realisht kjo është një rritje që cenon. Ideja është që të gjejmë gjuhën e përbashkët te kjo pjesë dhe asnjëherë pa i detyruar sepse nuk është detyruese kjo, por është ndërgjegjësuese. Duhet ta bëjnë këtë gje dhe kemi filluar të flasim me bizneset. Ka disa prej tyre që kanë reaguar,” tha Dredha./tvklan.al