Për ata që janë në kërkim të vendeve të lira për të udhëtuar në Evropë këtë verë, media spanjolle “Cuentas Claras” sugjeron destinacionet më të mira për pushime.
Evropa ofron një sërë destinacionesh që përveçse janë të përballueshme, do t’i lejojë turistët të shijojnë peizazhe ëndrrash, gastronominë dhe historinë e pasur.
Shqipëria është renditur krahas vendeve si Hungaria, Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovakia dhe Letonia.
Në shkrim theksohet se vendi ynë është një nga destinacionet më të lira në Evropë dhe një nga thesaret më të mira të fshehura.
Ky vend i ka të gjitha: plazhe, kështjella dhe qytete antike, kështu që turistë do të kenë mundësinë të planifikojnë një sërë aktivitetesh thuhet në artikull.
Riviera Shqiptare është e famshme për plazhet e saj mahnitëse dhe qytetet piktoreske. Plazhet e Dhërmiut dhe Himarës janë lehtësisht të aksesueshme dhe ofrojnë ujëra të kristalta dhe peizazhe magjepsëse.
Turistët nuk duhet të humbasin një shëtitje në Qafën e Llogorasë, e cila ofron një pamje të jashtëzakonshme të detit.
Në fund rekomandon Tiranën. Turistët mund të shëtisin sheshin Skënderbej dhe të eksplorojnë vendet historike si Monumenti i Skënderbeut, Xhamia e Et’hem Beut dhe Muzeu Historik Kombëtar.
Klan News