Në prani të një përkthyesi, Yeva Vorona, shoqja e dy 20-vjeçareve të gjetura të vdekura mesditën e të premtes ka dëshmuar për hetuesit duke treguar se darkën e të enjtes kishin festuar deri në orët e vona.

Festa kishte nisur në një “party” jashtë apartamentit, ku kishin ndenjur deri në mesnatë dhe më pas ishte mbyllur në banesë. Vorona ka treguar se gjithashtu dy të rejat, Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova kishin konsumuar medikamente të ndryshme.

“Mbrëmjen e të enjtes ne kemi dalë në një party në Tiranë, ku kemi konsumuar alkool dhe kemi qëndruar aty deri në orët e para të mëngjesit të së premtes. Antonina dhe Anastasia gjatë kësaj kohe kanë përdorur edhe medikamente, një prej të cilëve metadol, një tjetër nuk e di. Në banesë unë kam shkuar në dhomë të shtrihem dhe vetëm ditën tjetër në mesditë kam parë vajzat që ishin pa shenja jete.”

Deri më tani hetuesit dyshojnë se dy të rejat pas përdorimit të medikamenteve kanë kaluar në gjendje overdoze në gjumë duke bërë që të humbasin jetën.

Ato kanë hyrë në Shqipëri në fillim të muajit maj, ku janë pritur nga shoqja e tyre që kishte disa kohë që ishte në Tiranë.

Tv Klan