Katër banesa janë shkrumbuar nga zjarri në Shkodër. Policia njoftoi se pas mesnatës në lagjen “Skënderbeg” ka rënë zjarr në një banesë dykatëshe në pronësi të një 51-vjeçari. Si pasojë janë përfshirë nga flakët edhe tre banesa të tjera.

“Rreth orës 00:55, në lagjen “Skënderbeg”, ka rënë zjarr në një banesë dykatëshe në pronësi të shtetasit L .T., 51 vjeç. Si pasojë janë përfshirë nga zjarri edhe tri banesa të tjera ngjitur me të, në pronësi të shtetasve T. K., L. K. dhe një banesë e pabanuar”, njoftoi policia.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar 4 mjete zjarrfikëse duke bërë të mundur të shuajnë flakët, pas 2 orësh. Ata mundën që të evakuonin të gjithë banorët dhe fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar.

Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit./tvklan.al