“Ky është vendgrumbullimi i mbetjeve në Vlorë i cili ka shpërthyer në flakë që prej ditës së enjte, ndërsa tymi ka pushtuar qytetin bregdetar që pret mijëra turistë shqiptarë e të huaj. Shtëllungat e tymit, siç e shikoni edhe në pamje, kanë pushtuar të gjithë plazhet dhe qytetin duke detyruar turistët të largohen. Bashkia e Vlorës ka nxjerrë në terren të gjitha automjetet për të izoluar situatën, ndërsa kryetari i bashkisë thotë që kjo zjarrvënie mund të jetë edhe e qëllimshme”, raporton nga Vlora gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.

“Puna vazhdon me intensitet të lartë, në mënyrë që ta vendosim sa më shpejt në normalitet situatën e krijuar. Të gjitha institucionet ligjzbatuese, prokuroria, policia, duhet të marrin masat dhe janë në fakt edhe ata në punën e tyre, për të identifikuar nëse do të ketë një person”, thotë kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.

Për Dredhën, zgjidhja e situatës është landfilli i Serishtës.

“Shpresojmë që shumë shpejt të na kalohen ne kompetencat si bashki, gjë të cilën e kemi kërkuar ne me forcë, me qëllimin që të vendoset sa më shpejt në punë landfilli i Serishtës”.

Kryebashkiaku thotë se krahas dëmit në mjedis, ky është një imazh që dëmton edhe turizmin.

“Ky tym në fakt që krijon edhe një imazh jo fort të pëlqyeshëm, qoftë për mua, qoftë për të gjithë ata që zgjedhin Vlorën si destinacion, dhe patjetër kryesorja është komuniteti që jeton këtu. Jemi gjithë kohës, në luftë të vazhdueshme që ta mbyllim sa më shpejt gjithë këtë…”

Strukturat vendore dhe emergjencat po punojnë me turne për të shuar të gjitha vatrat, por djegia e mbetjeve në thellësi e vështirëson punën.

Tv Klan