Edhe pse i konsideron në pakicë, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se bashkëpunimi mes policëve dhe krimit, zbardhur nga hetimet është ulëritës.

Në 3 vite, SPAK rezulton të ketë hetuar 70 efektivë policie, që referuar raportimit të Dumanit, nuk janë kapur vetëm në afera korruptive, por në bashkëpunim me të thellë me grupet kriminale.

“Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunues me krimin e organizuar në krimet që krimi i organizuar kryen. Ish-drejtori i Forcës Operacionale, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh dhe nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit”.

I pyetur nga deputetët në Komisionin e Ligjeve dhe të Sigurisë ku raportoi për punën e institucionit që ai drejton për vitin që lamë pas nëse në komunikimet e Sky dalin emra politikanësh, ai dha këtë përgjigje.

“Nuk mund të prononcohem, kemi çështje në hetim, ju garantoj juve që në çdo rast do evidentohen raste të tilla, ne do të ushtrojmë ndjekjen penale sepse është detyrim ligjor, nuk është çështje zgjedhjeje”.

Përballë deputetë të të dyja krahëve, kreu i SPAK tha se përballë politikës janë të shurdhër.

“Jemi të shurdhër nga çdo lloj retorike politike. Orientohemi dhe jemi përgjegjës vetëm përballë ligjit”.

Ashtu sikurse edhe më herët ka thënë, Dumani siguroi deputetët që çdo emër që do të dalë nga hetimet, SPAK do të veprojë.

Teksa prezantoi punën e SPAK në 2023 ai tha se kanë vënë nën hetim 12 zyrtarë të lartë, kanë sekuestruar 41 milionë Euro pasuri. Dumani evidentoi 9 qytete me kriminalitetin më të lartë në vend. 

Tv Klan