Qeveria e Kosovës po bën përpjekje të adresojë çështjen e femicidit në Kosovë me një ligj të veçantë. Por për këtë, njohësit e drejtësisë dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë kanë mendime të ndryshme. Në vend të një ligji të ri, si opsion më i nevojshëm po shihet adresimi i femicidit nëpërmjet Kodit Penal, si dhe ashpërsimi i dënimeve për raste të dhunës në familje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë muajit qershor u shpreh optimiste se një ligj i tillë do të jetë i gatshëm shumë shpejt, e do të adresojë shumë çështje, por pa dhënë detaje konkrete.

“Kemi vlerësuar që nëpërmjet një neni të veçantë në Kodin Penal, do të ishte e pamjaftueshme, prandaj kemi vlerësuar që ta bëjmë një ligj për femicidin. Jam shumë optimiste që shumë shpejt do të mbërrijmë në një draft”, tha ajo.

Për detaje, Radio Evropa e Lirë (REL) i është drejtuar kabinetit të ministres Haxhiu, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka kthyer përgjigje.

Femicidi është vrasje e qëllimshme e një gruaje ose vajze për motive që lidhen me gjininë, me ideologjinë se burrat kanë të drejta dhe privilegje ndaj grave, me nevojën për të ushtruar kontroll dhe pushtet mashkullor, ose për të parandaluar, dekurajuar dhe ndëshkuar atë që e konsiderojnë si sjellje të papranueshme të grave.

Nga viti 2010 deri në prill të këtij viti janë identifikuar në total 57 gra të vrara në Kosovë. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Çfarë thonë njohësit e drejtësisë?

Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë punën e institucioneve drejtësisë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kanë mendime të ndryshme nëse Kosova duhet të ketë ligj të veçantë për femicidin.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për REL-in se iniciativa është e mirë, por që, sipas tij, ligjet aktuale (Kodi Penal dhe Ligji për dhunë në familje) mjaftojnë për adresimin e kësaj problematike.

“Kosova mund të iniciojë hartimin e një ligji të ri, më shumë si çështje simbolike, e vullnetit të shoqërisë për të përçuar mesazh në kuptim të mbrojtës së grave, sepse në praktikë në realitet nuk është që mund të ndryshojë më shumë sesa ajo që është e rregulluar me kornizën juridike në Kosovë”, thotë ai.

Sipas Miftarajt, si për këtë ligj që do të hartohet, ashtu edhe për ligjet e tjera, sfidë do të mbetet zbatimi.

“Edhe nëse kemi ligj mbi femicidin, nuk mund të ndryshojë më shumë sesa është e përcaktuar me ligjet aktuale në Kosovë, nëse do të ishin zbatuar. Janë paraparë masa të shumta, si në aspekt të parandalimit, ashtu edhe në aspekt të ndjekjes penale të personave që i kryejnë këto vepra penale”, shpjegon Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Vullnet Bugaçku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), vlerëson se për adresimin e femicidit, nuk nevojitet një ligj i veçantë.

“Është e rëndësishme që te Kodi Penal, te pjesa e përkufizimeve të përshkruhet një përkufizim se çfarë përfshin termi femicid. Dhe, e dyta, që në kuadër të veprës penale të dhunës në familje, të vrasjes edhe mbi baza gjinore, të përcaktohet një paragraf i veçantë që Kodi Penal e sanksionon speficikisht nëse ndodh një vrasje tipike vetëm për shkaqe të përkatësisë gjinore”, konsideron Bugaçku.

Paralelisht me këtë, ai propozon që të ketë rritje të dënimeve për ata që kryejnë veprat dhunë ndaj grave.

Bugaçku argumenton se një ligj i ri merr shumë më shumë kohë sesa disa ndryshime në Kodin Penal.

“… Sepse ai ligj duhet t’i nënshtrohet një koncept-dokumenti, fazave të draftimit, konsultimit dhe pastaj edhe fazës së shqyrtimit, grupeve punuese, Qeveri, Kuvend, pastaj publiku duhet të ketë qasje dhe afate kohore që komenton dhe jep qëndrime. Nëse shkohet me plotësim- ndryshim të Kodit Penal, procesi mund të shkojë shumë shpejt”, shpjegon ai për REL-in.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që kryen dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik ose ekonomik, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.

Po ashtu sipas këtij dokumenti, me dënim me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet një person që privon nga jeta personin tjetër i/e motivuar në bazë të kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor e orientimit seksual.

“Projektligji i domosdoshëm për mbrojtjen e grave”

Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se hartimi i një projektligji për ta adresuar femicidin është një hap shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për Kosovën.

“Përmirësimi i mbrojtjes ligjore për gratë është jetik, pasi legjislacioni aktual nuk e adreson mjaftueshëm këtë formë specifike të dhunës, duke i lënë gratë më të rrezikuara; një projektligj për femicidin do të përmirësonte mbrojtjen ligjore të grave dhe do të përforconte kuadrin ligjor ekzistues për të adresuar këtë çështje”, thotë Berisha.

Ajo jep edhe disa rekomandime për çështje, të cilat, sipas Berishës, duhet të përfshihen brenda këtij projektligji, duke filluar nga përkufizimi për femicidin.

“Hartuesit duhet të përcaktojnë qartë çka nënkuptohet me femicid dhe ta dallojnë këtë krim nga format e tjera të vrasjeve, për të siguruar që ligji të zbatohet në mënyrë efektive”, shprehet Berisha.

Përveç masave ndëshkuese, sipas Berishës, ligji duhet të përfshijë masa për parandalimin e femicidit, si dhe programe edukative që synojnë ndryshimin e normave shoqërore dhe kulturore që nxisin dhunën ndaj grave.

Ndër tjerash ajo përmend si të rëndësishme që ky ligj të sigurojë mbështetje të gjithanshme për viktimat e mbijetuara dhe familjet e viktimave të femicidit, duke përfshirë ndihmë ligjore, psikologjike dhe ekonomike.

Por, Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, nuk u shpreh optimiste se Ministria e Drejtësisë do t’i shkojë deri në fund zotimit.

“Nuk jemi duke u besuar mjaftueshëm institucioneve për këtë temë, sepse kjo temë është trajtuar, unë e kam adresuar te ministrja (e Drejtësisë, Albulena Haxhiu) në janar. Tani jemi në qershor dhe nuk ka ndodhur asgjë”, thotë ajo.

Demolli është e mendimit që femicidi të trajtohet në kuadër të Kodit Penal:

“Për ne është me rëndësi që Kodi Penal, pra baza e punës së institucioneve të drejtësisë, aty të përfshihet, aty të kriminalizohet dhe pastaj prej aty të ngrihen kapacitetet e institucioneve (gjyqtarëve, prokurorëve)”.

Demolli thotë se pas adresimit të femicidit në Kodin Penal, institucionet duhet të njoftohen për konceptin dhe pastaj duhet të krijohet një databazë e veçantë, e cila do të bënte mbledhjen e të dhënave për rastet e femicidit.

Çfarë thonë statistikat për vrasjen e grave?

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, janë raportuar 2.460 raste të dhunës në familje, me viktima kryesisht gratë.

Ndërkaq, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, afër 45.000 gra dhe vajza në mbarë botën u vranë më 2021 nga partnerët e tyre apo nga anëtarët e familjes (përfshirë nga prindërit, xhaxhallarët dhe vëllezërit).

Sikurse të gjitha format, e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave, femicidi është problem që prek çdo shtet në mbarë botën. Sipas raportit të UN Women, më 2021, Azia shënoi numër rekord të vrasjeve të grave nga partnerët e tyre dhe nga anëtarët e familjes, me rreth 17.800 viktima, pasuar nga Afrika me 17.200 viktima, 7.500 viktima u regjistruan në Amerikë, 2.500 në Evropë dhe 300 në Oqeani.

Ndër vendet evropiane, Spanja është shteti ku është shënuar rënia më e madhe e rasteve të femicidit të qëllimshëm në periudhën 2014-2019.

Në uljen e numrit të vrasjeve besohet se ka ndikuar miratimi i një Ligji integral për dhunën me bazë gjinore më 2004, i cili konsiderohet ligji i parë gjithëpërfshirës në Evropë për trajtimin e kësaj problematike.

Ligj për femicid kanë vendet si Meksika, Kili, Brazili për shkak të rasteve të larta të dhunës me bazë gjinore./REL