Tjetër futbollist i kombëtares shqiptare është kurorëzuar fitues i Kupës në këtë sezon futbollistik. Pas Qazim Laçit dhe Arbër Hoxhës, ishte radha e Ernest Muçit për të ngritur lart Kupën e Turqisë. Sulmuesi ishte sërish titullarë në fitoren që Beshiktash regjistroi 3-2 ndaj Trabzonspor.

Edhe pse jo në lartësinë e duhur, siç jemi mësuar në ndeshjet e shkuara, Muçi ishte gjithmonë pranë portës, duke kontribuar dhe qenë një kërcënim serioz për mbrojtjen kundërshtare.

Ish-sulmuesi i Tiranës qëndroi në fushë deri në minutat shtesë, ndërsa shqiptari tjetër, Milot Rashica u aktivizua nga stoli. Titullar edhe Enis Bardhi te Trabzonspor, që mbetet në kuotën e 9 sukseseve në Kupë, ndërsa Besiktas e fiton këtë trofe për herë të 11 dhe është e dyta në listë, pas Galatasarayt, që e ka fituar plot 18.

Sulmuesi Muçi ka luajtur në 17 ndeshje që prej muajit janar kur kaloi te Beshiktash, duke shënuar edhe 4 gola. 23-vjeçari është një kandidat potencial për tu përfshirë në kombëtaren shqiptare në kampionatin Europian 2024.

Klan News