Trajneri Sylvinho dhe kapiteni Gjimshiti i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për mediat në prag të ndeshjes së të mërkurës përballë Kroacisë.

Sylvinho: Ne kemi patur një trajnim të shkurtër stërvitor, nuk kemi asnjë problem për momentin sa i përket lojtarëve.

Ky është një grup shumë i vështirë, por mendoj se është një gëzim shumë i madh për ne që jemi këtu, luajmë kundër ekipeve më të mira, mësojmë prej tyre. Ne do të bëjmë më të mirën.

Një kompeticion shumë i bukur, unë asnjëherë nuk do të heq dorë. Nuk kemi hequr dorë në asnjë moment ndaj Italisë, ishim në lojë deri në momentin e fundit. Sigurisht e respektuam kundërshtarin. Ndoshta nesër do të fitojmë, mund të bëjmë gjithçka.

Si e sheh Kroacinë?

Sylvinho: Vërtet Kroacia humbi me tre gola për ka luajtur shumë mirë ndaj Spanjës. Spanja në 29 minuta ka shënuar golat që u duheshin dhe pastaj kjo sjell vështirësi për kundërshtarin. Kroacia ka një posedim të mirë të topit. Sigurisht e kemi studiuar Kroacinë.

Mund të flasim për lojtarët individualisht. Ne kemi lojtarë të mirë, kapiteni ynë ka fituar Ligën e Evropës. Kemi lojtarë të mirë, por disa janë të rinj dhe duhet të jemi të duruar. Duhet të shikojmë drejt të ardhmes. Ekipet kundërshtare kanë lojtarë të mëdhenj, kjo dihet. Mund të mësojmë prej tyre.

Ne e kemi sulmuar Italinë. Ne kemi sulmuar, por ata nuk na kanë lejuar. Ishte një ndeshje e komplikuar. Ky kompeticion ka një vështirësi pasi është shumë kompleks. Ata luajnë një futboll të nivelit shumë të lartë. Patjetër që duhet të rrisim nivelin tonë dhe të shfrytëzojmë përvojën që kemi.

Nuk jemi dorëzuar ndaj Italisë deri në fund dhe kishim mundësi në fund të barazonim.

Mesfusha është zemra e ekipit të Kroacisë. Prandaj duhet të përgatitemi mirë për atë repart, kjo do të jetë një sfidë për ne.