Gjermania po i jep dorën e fundit përgatitjeve për të pritur kampionatin europian të kësaj vere.

Një turne që pritet me mjaft entuziazëm te “Panserat”, pasi kërkojnë të kurorëzohen kampion të kontinentit në shtëpinë e tyre. Skenar që e synon edhe Federata Gjermane, e cila ka akorduar edhe një bonus të majmë për futbollistët e kombëtares. Fitimi i titullit në Kampionatin Europian do t’i jepte çdo lojtari gjerman një shifër prej 400 mijë euro.

Në negociatat me këshillin e lojtarëve të udhëhequr nga kapiteni Ilkaj Gyndoan, Federata ra dakord të bazohej në totalet e premtuara edhe më parë në turnet e mëdhenj. Prandaj, ngritja lart e trofeut do t’i kushtonte Federatës Gjermane të Futbollit një total prej 10.4 milionë euro, gjithmonë nëse Nagelsmann zgjedh 26 futbollistë në listën përfundimtare. Si nënkampion të Europës, shifra që do të përfitohej prej Panserave do të ishte 250 mijë euro.

Shumë para, por në skenarin më të mirë, UEFA do të paguajë deri në 28.25 milionë euro bonuse për kampionët e rinj të Europës. Vetëm bonusi i pjesëmarrjes arrin në 9.25 milionë euro për secilin nga 24 kombëtaret e kualifikuara. 

Kjo është shifra e dytë me e lartë e premtuar në Euro2024. Federata Franceze ka vënë në dispozicion të kombëtares bonusin prej 470 mijë euro për çdo anëtar të saj, gjithmonë nëse arrinë të ngre lart trofeun. Kampionati Europian i kësaj vere do të vij falas dhe ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan.

Klan News