Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, foli për emisionin “Kampionët” në Tv Klan, pas humbjes 2-1 ndaj Italisë.

Gjimshiti tha se gjëja pozitive nga ky takim, ishte se ekipi mbeti në lojë deri në fund dhe me pak fat mund të kishin barazuar.

Sipas mbrojtësit, disa lojtarë duhet të bënin faulle, për të ndaluar vrullin e kundërshtarëve, para golave të pësuar.

“Performanca nuk ishte aq e mirë sa e kishim përgatitur. Ka gjëra për të përmirësuar, sidomos që i lamë shumë hapësira Italisë. Duhet analizuar dhe përmirësuar kjo pjesa. Nuk kemi shumë kohë, sepse pas 4 ditësh luajmë me Kroacinë. Duam të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim pikët.

Gjëja më pozitive e kësaj nate, është që ishim në lojë deri në sekondat e fundit. Me pak fat mund të kishim shënuar edhe golin e barazimit. Në këto nivele duhet eksperiencë, por edhe punë. Ndaj ekipeve të tilla, duhet të përballosh edhe presionin. Duhet të dalësh nga presioni dhe të rrezikosh kundërshtarin.

Në mbrojtje nuk mendoj se kemi punuar keq. Duhet ndonjëherë të kishim bërë më shumë faulle, jo vetëm me futboll të bukur. Kjo është gjëja që duhet të përmirësojmë, pasi aty erdhën golat.

Duhet të rregullojmë disa gjëra për Kroacinë. E gjithë skuadra që ka zbritur poshtë, duhet të jetë më lart dhe të bëjë më shumë presin të kundërhsri, sepse at ana vinin te zona. Nga sot, do bëjmë analizat për ndeshjen dhe do të jetë më e thjeshtë.

Tifozeria e Shqipërisë, është më e mira në botë. Nuk ka shumë fjalë. Dua t’I falënderoj të gjithë për mbështetjen. Shpresoj të jenë edhe në dy ndeshjet e radhës. Pse jo, të befasojmë të gjithë në dy ndeshjet e radhës.”, u shpreh Gjimshiti.

Të gjitha ndeshjet e Euro 2024, mund t’i ndiqni në Tv Klan. / tvklan.al