Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata e Faktit ka dhe dy muaj afat për të dhënë vendimin ndaj të akuzuarve të dosjes “Kokaina”. Avokatët dhe të pandehurit e kësaj dosje kanë paraqitur në Gjykatën e Apelit, pretendimin e tyre, për mospranimin e shtyrjes së afatit të paraburgimit të dhënë nga gjyqtarët e rrethit nëpërmjet pezullimit të afatit disa herë gjatë procedimit gjyqësor.

Koçiu, Durda, Përballa, Hysi dhe Gjonaj, kanë prej dy vjetësh të arrestuar, nën akuzën, krijimi i organizatës për trafikim droge. Sipas pretendimeve të avokatëve edhe vetë të pandehurve, afati i hetimit skadon këto ditë dhe ata duhet të lirohen, pasi gjykata nuk ka arritur ende dhënien e një vendimi gjyqësor.

Por nëpërmjet pezullimeve të dhëna nga trupi gjykues, afati është shtyrë dhe rreth dy muaj. Ndërsa ankimimi në Gjykatën e Apelit është hedhur poshtë, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit, që lë në paraburgim 5 të pandehurit deri në mes të muajit Prill./tvklan.al