Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, thotë se Shqipëria ka njohur progres në raportin global të hendekut gjinor duke u renditur në vendin e 17-të nga 146 vende. Gjatë një aktiviteti për gratë në diplomaci, Hasani foli për rolin e forcuar të grave shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Igli Hasani: Gratë luajën një rol kyç në promovimin e interesave të politikës së jashtme të Shqipërisë. Puna e tyre në fushën e diplomacisë i ka mundësuar Shqipërisë të forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare duke nxitur jo vetëm barazinë gjinore, por edhe të drejtat e njeriut në çdo aspekt.

Sipas Hasanit, përparësi për Shqipërinë është eliminimi i të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave dhe vajzave.

Igli Hasani: Aktualisht si anëtar i Këshilit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut një nga përparësitë tona është eleminimi i të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave dhe vajzave. E ne vazhdojmë dhe punojmë drejt barazisë më të madhe këtu në Shqipëri për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadoret e akredituara në Tiranë të vendeve të Rrjetit të Politikës së Jashtme Feministe, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Klan News