Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetarja:- Zoti Gjinishi, ju keni qenë në momentet e vrasjes në godinën e komunitetit, ndërkohë që jeni shoqëruar më pas edhe nga policia. A mund të na thoni në lidhje me shoqërimin dhe më pas lirimin tuaj?

Ermir Gjinishi:- “Unë isha në cilësinë e dëshmitarit, ashtu siç ishin mbi 30 vetë, pothuajse të gjithë punonjësit e Komunitetit Mysliman dhe shumë të tjerë dhe natyrisht të gjithë ishim thirrur për të sqaruar ato që dinim rreth ngjarjes së rëndë që ndodhi dje në mëngjes, në selinë e Komunitetit Mysliman, ku nga një dorë makabre u godit për vdekje një nga personalitetet më të larta të KMSH, sekretari i përgjithshëm Sali Tivari. Ishte një ngjarje mjaft e rëndë, e cila shëmtoi imazhin e popullit shqiptarë, të besimtarëve myslimanë dhe të institucionit tonë. Shpresojmë dhe organet kompetente po merren seriozisht me këtë punë, shpresojmë sa më shpejtë të zbardhet ngjarja dhe të kapen këta kriminelë dhe Shqipërisë t’i hiqet njëherë e përgjithmonë emri i krimit, gjithashtu dhe institucioni jonë të kthehet në normalitetin e tij”.

Gazetarja:- Ju jeni një i njohur i zotit Tivari, ndërkohë keni qenë edhe në komunitet gjatë momenteve që ka ndodhur ngjarja. A mund të na thoni ju, çfarë piste krijoni në lidhje me këtë krim të shëmtuar?

Ermir Gjinishi:- “Të them të drejtën, sapo ndodhi ngjarja, unë isha personi i dytë që u futa në zyrë, pasi më lajmëroi dikush tjetër, i cili e kishte parë më parë dhe menjëherë organizova atë, çka mund të organizoja në ato momente të rënda. Thirra kolegët e mi që u ndodhën pranë, për të marrë masat. Përsa i përket pistës besoj se organet kompetente do ta nxjerrin dhe do të jenë më të sakta se fjalët e mija. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin, pavarësisht një kaosi dhe një fryrje të medias së shkruar në Shqipëri, e cila që në momentet e para u përpoq të njollosë figurën time, megjithatë, i shpreh keqardhjen time dhe ngushëllimet e mia familjes Tivari, për mikun tim të shtrenjtë Sali Tivarin. Shpresoj shumë tek organet kompetente shqiptare dhe kam besim që kriminelët do të gjejnë dënimin e caktuar”.

Gazetarja:- Ndërkohë pas ngjarjes janë hedhur hije dyshimi dhe mbi ju nga policia, por edhe nga disa komunikime të thjeshta qoftë edhe në radio policore në ato momente. Ju vetë, a mund të na thoni gjë për këto dyshime?

Ermir Gjinishi:- “Të them të drejtën, unë e gjeta veten dy herë të traumatizuar, kur sot u njoha me shkrimet e gazetave, por di të them, se mbrëmë dhe deri sot në mëngjes, ka akoma shumë njerëz që po merren në pyetje, ashtu siç ka pasur dhe mbrëmë kolegë të mi që punojmë bashkë në Komunitetin Mysliman dhe kjo është një diçka normale, pasi organet kompetente po kërkojnë pistën për të vazhduar hetimet e tyre, për të shkuar drejt krimit dhe unë e quaj këtë një çështje krejtësisht normale. Përkundrazi, e vë veten në dispozicion për çdo lloj kontakti, për çdo lloj informacioni apo ndihme që mund të japë unë, sepse nga ky pozicion i medias, unë jam shumë më i interesuar, sesa gjithë të tjerët”.

Gazetarja:- Pikërisht në lidhje me këtë, në godinën e selisë së KMSH, ju keni qenë funksionari, ose titullari më i lartë i ndodhur në momentin e ngjarjes. Çfarë kanë raportuar vartësit, qoftë edhe roja për momentin, pas krimit, në lidhje me persona të dyshuar ne komunitet?

Ermir Gjinishi:- “Nuk kam asnjë dijeni për informacionet, apo deklaratat që kanë dhënë personat e tjerë”.

Gazetarja:- Po në lidhje me bashkëshorten tuaj, ku ëhstë ndodhur ajo në momentin e krimit?

Ermir Gjinishi:- “Edhe unë dhe bashkëshortja ime, nuk kemi qenë aty në momentin krimit. Unë kam qenë i dyti pasi më lajmëruan, që u futa, ndërsa bashkëshortja ime ka qenë ndoshta nga të fundit, që e ka parë viktimën”.

Gazetarja:- Mund të na thoni, nëse keni besim se këto organe të drejtësisë do ta zbardhin këtë ngjarje kaq të rëndë?

Ermir Gjinishi:- “Unë kam besim tek Zoti në radhë të parë. Ai e di më mirë se të gjithë se cili jam unë dhe ç’pastërti kam unë, por kam shumë besim edhe tek njerëzit që shërbejnë tek këto organe kompetente dhe do të dëshiroja me gjithë shpirt që të zbardhej krimi sa më parë, që dhe unë të lehtësohesha nga ndonjë shikim i shtrembër, apo i rëndomtë”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj