Ecuria në procesin e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi ka qenë në fokus të takimit që presidenti i republikës, Bamir Topi, zhvilloi me ambasadorin amerikan, John Withers.

Kreu i shtetit ka ndarë të njëjtin mendim me diplomatin amerikan për rëndësinë e këtyre reformave në proceset integruese të vendit.

“Të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Pa shtetin e së drejtës demokracisë do t’i mungonte gjaku nëpër vena”, është shprehur ambasadori amerikan.

Takimit mes dy personaliteteve i ka paraprirë dekorimi  me “medaljen e mirënjohjes” nga presidenti Topi, i juristes amerikane, Melissa Schraibman, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj në ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Zhvillimeve të fundit politike në vend dhe konkretisht debatit për projektligjin e pastërtisë së zyrtarëve i është referuar edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch.

Gjatë një deklarate të bërë në qytetin e Durrësit ai është shprehur se çështje të tilla duhet të zgjidhen me konsensus dhe gjithëpërfshirje. 

“Unë mendoj se është e rëndësishme për çdo vend që të përballet me të kaluarën e tij. Ka në fakt disa probleme kushtetuese me projektligjin për vetë natyrën sensitive që ai ka. Ligji përpara se të hidhej në votë duhet t’i paraqitej OSBE-së dhe Këshillit të Evropës”, ka theksuar Bosh./tvklan.al