Situata kritike të cilën po kalon sektori i shëndetësisë ka tërhequr dhe vëmendjen e kryetares së parlamentit.

Si e ftuar në komisionin e shëndetësisë teksa diskutohej projektbuxheti për vitin 2009, Topalli ka kërkuar që kuvendi të gjejë mekanizmat për shpërndarjen e tij në shërbim të pacientëve dhe jo për shpenzime personale të drejtorive përkatëse.

Duke vënë përballë përgjegjësisë krerët e spitaleve zonja Topalli shpërdorimin e këtyre fondeve për shëndetësinë e cilësoi po aq akt kriminal sa dhe tragjedia e ndodhur një ditë më parë në qytetin e Gjirokastrës.

Jozefina Topalli: “Ka miratuar kuvendi para. Paratë që kanë përfunduar për të blerë makinat e drejtorëve të spitaleve, jo, jo, kështu nuk vazhdohet. Jo, kështu nuk mund të vazhdohet. Paratë janë për pacientin. Nuk mund të ndodhi më që spitalet rajonale të mos kenë skaner. S’ka skaner, është e pafalshme, është kriminale. Është po aq kriminale sa ç’ishte rrëzimi i pallatit dje në Gjirokastër. Do jetë komisioni juaj që do vendosi se ku do shkojnë paratë. Nuk do jetë më drejtori i drejtorisë i asnjë drejtorie.”

Deklarata e kryeparlamentares Topalli vjen pas diskutimeve që po i bëhen projektbuxhetit që për sektorin e shëndetësisë kap një shifër prej 300 milion dollarë dhe ku 8% zënë investimet për spitalet në mbarë vendin./tvklan.al