Kombëtarja shqiptare ka realizuar fotot zyrtare para finaleve të Euro 2024. Aashtu si në Euro 2016, edhe këtë herë do të vishet me kostumet e atelier “Altin Mici”, që kuron imazhin e kuqezinjve dhe ka realizuar një set veshjesh speciale për ekipin dhe të gjithë stafin kuqezi.

Në qendrën stërvitore të Kombëtares në Austri u zhvillua edhe ceremonia e nënshkrimit të bashkëpunimit të ri mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe atelier “Altin Mici”.

“Bashkëpunimi ka filluar para vitit 2016 dhe na ka sjellë fat për të qenë pjesë e Europianit. Ekipi kombëtar është veshur me kostumet e Altin Micit në Euro 2016 ka vazhduar akoma më tej dhe të gjithë djemtë e Kombëtares do të vishen me kostumet e stiluara nga atelier Mici dhe të qepura nga ai.

Sot gjatë gjithë ditës ne ia kemi përkushtuar veshjes, megjithëse ky është një event sportiv por padyshim që çdo detaj sado që mund të duket i vogël është i rëndësishëm për një skuadër futbolli”.

Ndërsa për stilistin Altin Mici është arësye krenarie vazhdimi i bashkëpunimit me Federatën dhe Kombëtaren shqiptare të futbollit.

 “Jam shumë krenar që kam mundësi të kujdesem për imazhin e Kombëtares shqiptare. Tashmë u bë 8 vjet dhe kjo është një përgjegjësi të cilën e kam parë me seriozitetin më të madh. Që nga hera e parë që jam kujdesur për imazhin e Kombëtares shqiptare e kam bërë me një pasion dhe krenari të papërshkruar.”

Kombëtarja vijon përgatitjet në kampin stërvitor në Austri.

Tv Klan