Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në një takim të komisionit parlamentar të Rendit dhe SHIK-ut, janë shqyrtuar projektligji i propozuar nga këshilli i ministrave, me propozim të Ministrisë së Rendit, për disa ndryshime në ligjin për policin e shtetit. Në relacion për ndryshime, kërkohet qartësimi i të drejtave dhe detyrave të ministrit dhe të drejtorit të përgjithshëm të policisë, ndisur nga mosmarrëveshja ndërmjet tyre.

Sipas ministrit të rendit, gjatë tre vjetëve të zbatimit të këtij ligji, janë vënë re disa mangësi dhe të meta kryesisht në kompetencat e drejtorit të policisë së shtetit.

Luan Rama:- “Unë e kam thënë dhe nuk hezitojë ta përsërisë, që ligji për policinë dhe ligji për gradat, që ende nuk është zbatuar si duhet, bashkë me drejtorin e policisë, po punojmë për ta implementuar dhe ligjin për gradat. Pra këto dy ligje nuk i kanë shpëtuar edhe interesave personale të atyre që e kanë punuar ligjet, sepse nëse do të duhet t’i zbatojmë në mënyrë korrekte këto dy ligje, do të duhet të largojmë nga drejtimi i policisë sot, 70% të drejtuesve dhe do të duhet të marrim në vendin e tyre 70% nga ish-drejtuesit e policisë të kohës së komunizmit”.

Me rezerva është parë ky projekt, për ndryshime në ligjin e policisë së shtetit, nga përfaqësues të misioneve të huaja në Shqipëri. Drejtuesi i misionit të Komunitetit Europian për asistencën policore, duke përmendur faktin, se në vitet e tranzicionit, policia ka ndërruar 11 drejtorë, shprehet se duhet të zbatohet ligji, që të kemi një polici të depolitizuar. /tvklan.al