Djegia e mbetjeve urbane është bërë një problem mjaft shqetësues për banorët e qytetit të Korçës. Fusha e plehrave ndodhet vetëm 2 kilometër larg qytetit. Duke bërë që re të dendura tymi mbulojnë pjesë të qytetit në orët e vona të mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit.

Përveç reve të tymit banorëve u duhet të durojnë edhe erën e rëndë që vjen nga djegia e këtyre mbeturinave.

Banorja 1: “Fëmijët i kemi larguar nga shtëpitë, unë kam 4 fëmijë të 4 i kam larguar nga shtëpia. Jemi mos më keq, një rrobë nuk ndejmë dot, një plaçkë, mbaruam, mbaruam, mbaruam. Dhe për shëndetin më shumë se hajde plaçkat.”

Banorja 2: “Tym, erërat do me thënë çdo gjë është vërtetë edhe alarmante edhe për fëmijët, jo me puçrra jo me pulla. Gjithmonë ngelëm nëpër spitali duke i çuar. Është vërtetë jashtë mase shqetësuese.”

Ndotja e provokuar nga fusha e mbetjeve ka alarmuar dhe specialistët e higjienës në drejtorinë e shëndetit publik të cilët thonë se është mjaft e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Jani Bukuroshi: “Dioksina formohet në temperaturën 70 gradë celsius gjatë djegies dhe ajo përhapet në gjithë qytetin dhe ndikon në sëmundjen e kancerit.”

Nga ana tjetër bashkia e Korçës edhe pse i ka kërkuar firmës përgjegjëse rrethimin e fushës dhe ruajtjen e saj situata nuk ka ndryshuar dhe mbeturinat vazhdojnë të digjen çdo ditë./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zizi