Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar punonjësin e policisë të shpallur në kërkim, Briken Tereziun.

Inspektori 39-vjeçar dyshohet për konsumimin e veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndaj tij, është vendosur masa e sigurimit personal “arrest me burg” më 4 Qershor 2024.

Briken Tereziu dhe 7 punonjës të tjerë të policisë në aeroportin e Rinasit bashkëpunonin me Eneo Sulejmanin për të kaluar drejt BE-së mbi 200 persona të padëshiruar përgjatë 1 viti.

Bëhet fjalë për shtetas të deportuar, të mitur të pa pajisur me prokurë nga prindërit, apo me masa sigurie. Për çdo kategori, pagesa në formë rryshfeti varionte nga 50 deri në 500 Euro. Fakt ky që del në pah nga komunikimet e Eneo Sulejmanit dhe një prej efektivëve të Pikës Kufitare Rinas, Briken Tereziu.

Referuar dosjes hetimore, Eneo Sulejmani binte në kontakte me pasagjerët përmes agjencisë së tij, ku u priste biletat e fluturimit e më pas kontaktonte efektivin, Briken Tereziu. Ky i fundit, në rastet kur ishte në punë, u ofronte ndihmë vetë udhëtarëve, ndërsa kur s’ishte i pranishëm, njoftonte kolegët e tij të vënë gjithashtu në akuzë si pjesë e kësaj skeme korruptive.


Njoftimi i AMP:

Në vijim të komunikatës së datës 04.06.2024, mbi ekzekutimin e masave të sigurimit personal ndaj 8 punonjësve të policisë, efektivë në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas dhe pas shpalljes në kërkim të punonjësit të policisë, Inspektor B. T., 39 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur sot arrestimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur si rezultat i hetimeve disa mujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, nëpërmjet të cilave u siguruan prova dhe fakte për implikimin e tyre në veprimtari kriminale.


/tvklan.al