Është finalizuar operacioni policor i koduar “Forest” ku janë vënë në pranga dy persona të cilët janë kapur në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike në Trevllazër në Vlorë. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe një 30-vjeçar, bashkëpunëtor i tyre.

Konkretisht janë arrestuar: R. V., 23 vjeç dhe A. Ç., 49 vjeç, të dy këta shtetas me masë sigurie “Arrest shtëpie” në fushën e narkotikëve, të cilën e kanë thyer gjatë kohës që merreshin përsëri me kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë operacionit të zhvilluar në Vlorë, janë asgjësuar 320 bimë dhe sekuestruar një makinë bujqësore dhe sende të tjera që shërbenin për rritjen e bimëve narkotike.

Ndërkohë gjatë hetimit janë siguruar prova filmike kur këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shkonin në mënyrë të përsëritur te parcela për t’u kujdesur për bimët.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./tvklan.al