Kryeministri kosovar Hashim Thaçi, brenda muajit qershor do të vizitojë Shqipërinë. Lajmi që nuk është zyrtarizuar ende nga institucionet e shtetit kosovar apo atij shqiptarë. Është bërë publik nga gazetari i Televizionit Klan Blendi Fevziu, në një lidhje direkte me edicionin  e lajmeve të orës 19:30 nga Prishtina. Fevziu nga burime të konfirmuara ka mësuar se kjo vizitë mund të zhvillohet rreth datës 19 qershor.

Blendi Fevziu: “Nuk ka ende një deklaratë zyrtare, por konfirmimi është zyrtarë. Konfirmohet nga stafi i kryeministrit Hashim Thaçi si dhe nga zyra shqiptare, ose nga ambasada shqiptare në Prishtinë të cilat janë duke punuar për të definuar, ose për të përcaktuar të dhënat e fundit përfundimtare, agjendën konkrete të vizitës të kryeministrit Hashim Thaçi. Është një krye vizitë e paralajmëruar disa herë që pritej të zhvillohej midis muajve prill dhe maj po për arsye të zgjedhjeve në Serbi dhe mos interferimit atje, është shtyrë për më tej. Konfirmimi është zyrtarë Hashim Thaçi, do të jetë në Shqipëri në datën 19 dhe 20 qershor të enjten dhe të premten mbas një ftese të kryeministrit Sali Berisha. Do jetë i shoqëruar nga një staf shumë i madh ministrash, deputetësh, njerëz të biznesit, të mediave pra do jetë një vizitë e përmasave të mëdha që besoj që do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë dhe pala shqiptare”.

Edhe pse agjenda e takimeve qe kreu i ekzekutivit të shtetit kosovar do të ketë në Tiranë nuk është zyrtarizuar, gazetar Fevziu ka arritur të zbulojë disa prej këtyre takimeve.

 Blendi Fevziu: “Sa kam mundur të marr unë informacione këtu, sepse nuk i di të gjitha detajet do të ketë, do nënshkruhen një seri marrëveshjesh konkrete. Vizita vetë faktin që shtrihet në 2 ditë do të jetë mjaft e gjerë. Do zhvillojë takime me të gjithë spektrin politik shqiptarë, do të ketë takime me homologun e tij Sali Berisha, me presidentin  Bamir Topi, me kreun e opozitës Edi Rama, me kreun e LSI Ilir Meta, si dhe besoj padyshim me kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli dhe një sërë vizitash të tjera. Nuk di detaje për agjendën. Do të ketë një dekorim nga presidenti Bamir Topi për kryeministrin Thaçi, pra ai do të marrë një nga urdhrat e lartë të shtetit shqiptarë për meritat që ka pasur në aktivitetin e tij politik në favor të Kosovës. Do të kemi marrëveshje konkrete, do të kemi në parim, kjo  është e konfirmuar në marrëveshje të bashkëpunimit, marrëveshje të gjerë të bashkëpunimit midis 2 qeverive që pastaj do të konkretizohet dhe nga marrëveshje konkrete të ministrave. Nuk di konkretisht, po di që do të ketë disa marrëveshje që lidhen me infrastrukturën e përbashkët, me arsimin si dhe probleme të tjera. Gjatë vizitës zoti Thaçi do të vizitoj edhe Vlorën ku është shpallur për të marrë titullin e qytetarit të nderit akorduar nga këshilli bashkiak i këtij qyteti, si dhe di në mos gaboj tani, që do të ketë dhe një vizitë ndoshta së bashku me kryeministrin Berisha në Kavajë, në familjen e njërit prej dëshmorëve të UÇK-së Indrit Carës”.

Vizita e Thaçit në Shqipëri mund të konsiderohet si historike, më tepër për simbolikën e saj pasi shënon vizitën e parë në nivel zyrtarë të kryeministrit kosovar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt të këtij viti./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka