Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu deklaroi se janë hedhur hapa konkretë në përmbushjen e reformës në drejtësi. Një prej rekomandimeve kryesore të Bashkimit Europian në rrugën e integrimit.

Gjatë një raportimi mbi ecurinë e deritanishme të procesit të integrimit Bregu tha se pas miratimit të ligjit për pushtetin gjyqësor pritet që të vijnë në shqyrtim për parlament disa ligje të tjera të rëndësishme.

Majlinda Bregu: “Në vazhdim të reformimit të sistemit të drejtësisë janë në përfundim një sërë nismash të tjera ligjore. Sot përcillet për në këshill të ministrave projektligji mbi administratën gjyqësore, po ashtu edhe ai për noterinë dhe për avokatinë të cilat kalojnë tashmë për miratim në këshill të ministrave. Është ende në diskutim ndryshimet në ligjin për organizimin e prokurorisë .”

Ndërkaq ajo nënvizoi se është intensifikuar puna për trajnimin e administratës pasi kapacitetet e saj janë parë përherë me rezerva nga strukturat e BE-së.

Përsa i takon luftës kundër korrupsionit duke iu përgjigjur edhe interesimit të deputetit socialist Gramoz Ruçi, ministrja Bregu kërkoi dhe bashkëpunimin e opozitës në këtë proces. 

Majlinda Bregu: “Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit, pavarësisht se përmendet si një nga qëllimet kryesore, besoj se më së shumti është një qëllim i cili kërkon ende shumë forca për tu përmbushur. Fenomeni kërkon impenjim të të gjithë forcave jo vetëm forcave politike, por të gjithë aktorëve të një shoqërie për ta luftuar. ”

Ndërkaq ministrja tha se në vjeshtë do të mbyllet ratifikimi i marrëveshjes së stabilizim-asocimit, por deri tani miratimi i saj është bërë nga 22 shtete./tvklan.al