Akti normativ i qeverisë ku përcaktohen procedurat për dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit është votuar në parlament vetëm me votat e mazhorancës. Opozita votoi kundër duke argumentuar se nuk kishte një vlerë për llogaritjen e dëmit financiar që kanë pësuar banorët e zonës ku ndodhi shpërthimi.

Arben Malaj: “Ne kemi kërkuar një akt-ligjor për ndryshim në ligjin e buxhetit ku do të ishin të qarta dëmet, përgjegjësitë. Ai akt nuk ka asnjë shifër dhe kjo mbetet për tu parë, ose qeveria nuk e di akoma shifrën dhe është e paqartë, ose qeveria e di po e fsheh për të përulur përmasat, ose qeveria me aktin-normativ ku nuk kërkon shifrën konkrete, por kërkon të marrë të drejtën për të përdorur 4 miliard lekë.”

Ndërsa deputeti i mazhorancës, Spartak Ngjela tha se përcaktimin e vlerës së dëmshpërblimit duhet ta vendosin kompanitë e sigurimit dhe gjykata.

Spartak Ngjela: “Sigurimet do paguani shumë thjeshtë dhe pastaj kompanitë e sigurimeve do hidhnin shkaktarin e dëmit në gjyq dhe do merrnin shumën. E ka kompania apo e ka shteti, atë e zgjidh gjykata. Shkaktari i dëmit vete dhe bën vlerësimin e dëmit që i ka shkaktuar vetë.”

Por ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve Olldashi, sqaroi se masa e dëmshpërblimit është bërë mbi baza ligjore.

Sokol Olldashi: “Është bërë në prani të familjarëve, në formular ku është evidentuar çdo centimetër katrorë dëm dhe të pranuar nga këta familjarë që kanë qenë prezent. Vlerësimi financiar, ekuivalentimi financiar i këtij dëmi fizik është bërë duke marrë referencën më të mirë ligjore që ne kemi sot konkretisht dhe që është kostoja zyrtare e metrit katrorë të ndërtimit në kryeqytet dhe jo zonat suburbane.”

Të hollat për dëmshpërblimin e banorëve të Gërdecit sipas qeverisë, do të merren nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe i kontigjencës./tvklan.al