“Hysaj e ka treguar veten në shumë ndeshje me kombëtaren”, kështu është shprehur futbollisti Armando Sadiku në një intervistë për Klan News.

Një lumë kritikash u dyndën nga tifozët kundrejt futbollistit të kombëtares Elseid Hysaj pas përfundimit të ndeshjes së Shqipërisë me Italinë. Megjithatë në ndeshjen e sotme me Kroacinë, Hysaj u mbështet dhe duartrokit nga tifozët kuqezi.

Sadiku e cilësoi Hysajn si një futbollist me karakter, i cili ka bërë shumë për kombëtaren. Ai tha se ulja e kokës ishte diçka instiktive dhe pohoi se të njëjtën gjë ka bërë edhe vetë në shumë ndeshje.

“Ne jemi profesionistë, tifozët e ndjejnë shumë nga shkallët e stadiumit. Por ne jemi në fushën e lojës dhe duhet të vendosim në fraksion sekonde. Unë mendoj se Hysaj e ka ulur kokën ngaqë ka menduar se nëse do e prekte do e devijonte topin dhe do të shkonte në rrjetë. Dhe unë kur luaj i kam këto instinkte kur jam brenda zonës mendoj që më mirë të mos e prek se sa të prek topin. Kështu që unë nuk i vendos aspak faj i Hysajt ai e tregoi veten sot.

Ka luajtur me gjithë shpirt gati shkonte deri në sulm, ka goditur edhe dy herë portën donte që të shënonte, të jepte maksimumin dhe t’ua tregonte të gjithë njerëzve. Por Hysaj nuk ka çfarë tregon, e ka treguar veten në shumë ndeshje me kombëtaren, ka qenë lider me ekipet e tij dhe kjo nuk mund t’i mohohet vetëm për një ulje koke, që është një gjest, instinkt. Edhe unë e kam bërë shumë herë edhe me kombëtaren dhe me ekipet e mia. Hysaj është një lojtar shumë profesionit me kombëtaren jep gjithmonë më të mirën. Trajneri përsëri sot i besoi dhe e futi në formacion sepse kualiteti i tij dihet në ekipin kombëtar,” përfundoi fjalën e tij Armando Sadiku./tvklan.al