Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të parandaluar një konflikt të mundshëm, të nxitur nga Rusia.

Mediu, që përfaqëson Kuvendin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, e mbajti këtë qëndrim gjatë Sesionit Vjetor të Organizatës në Bukuresht.

Të mbledhur për të diskutuar rolin e OSBE-së në arkitekturën aktuale të sigurisë, shqetësimi kryesor i Asamblesë Parlamentare ishte lufta në Ukrainë dhe ndikimi në sigurinë e Europës.

Duke theksuar se Rusia ka 16 vjet që po sulmon vendet e tjera, që prej konfliktit me Gjeorgjinë, më pas Krimea dhe tani Ukraina, zoti Mediu vuri në dukje qëndrimin e Shqipërisë pro Ukrainës.

“Si vend anëtar i NATO-s, ne qëndruam përkrah aleatëve tanë dhe shpresoj që Samiti i NATO-s në Uashington do të sjellë më shumë bashkëpunim të frytshëm në mbështetje të Ukrainës, jo vetëm për të ndërtuar mbrojtjen e tyre, por për të fituar luftën kundër së keqes”, tha ai.

Me qartësinë se agresioni i Rusisë nuk është i përqendruar vetëm në Ukrainë, Mediu ngriti shqetësimin e veprimit të Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan përmes luftës hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit.

Po ashtu Kongresmeni Joe Wilson, Kryetari i Komitetit Helsinkit në Kongresin Amerikan në mbështetje të qëndrimit të Fatmir Mediut kërkoi më shumë vëmendje për Ballkanin.

Në fund të debateve, Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së kulmon me miratimin e Deklaratës së Bukureshtit, e cila përmban rekomandime në fushën e sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Klan News