Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministri i Rendit Luan Rama, ka shfrytëzuar emërimin e drejtorit të ri të policisë së Korçës Vehbi Bushati, për të kërkuar falje publike për ngjarjen e Goskovës, ku Gazmend Tahirllari vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia. Ajo ngjarje duhet të shërbejë si mësim, për efektivët e policisë është shprehur Ministri i Rendit Rama.

Falja publike e Ministrit të Rendit përkon edhe me dërgimin e çështjes Tahirllari në gjykatë, na prokuroria e përgjithshme, ku ndodhen edhe 6 emrat e efektivëve blu të Korçës, mbi të cilët rëndon akuza e ushtrimit të dhunës, dhe mos kallëzimit të krimit.

Ndërkohë më herët, komisioni i të drejtave të njeriut, gjatë mbledhjes së tij, i ka kërkuar shpjegime ministrit Rama, jo vetëm për rastet e fundit të ushtrimit të dhunës, nga policia në komisariate, por edhe në dhomat e paraburgimit, të cilat tregohen edhe në raportin konfidencial të Bashkimit Europian.

Luan Rama:- “Ka një urdhër të kryeministrit për ta zgjidhur në maksimumin e mundshëm të shpejtësisë këtë gjë, e para sepse është paradoksale, që dhomat e paraburgimit, gjenden në mjediset e komisariateve të policisë, nuk është ligjore, bie ndesh me standardet e shërbimeve të policisë, që aplikojnë vendet e BE, është gjithashtu në qendër të vëmendjes, sepse është njëri nga kontestet, njëra nga vërejtjet e bëra në vazhdimësi nga grupi task-forcë dhe strukturat e BE, që monitorojnë procesin e MSA”.

Gazetarja:- Buxheti i shtetit ka përcaktuar një fond në lidhje me këtë?

Luan Rama:- “Buxheti i shtetit ka të përcaktuar shpenzimet e domosdoshme, që kanë të bëjnë me shërbimin e ruajtjes dhe të trajtimit të këtyre të paraburgosurve, i cili natyrshëm do të trajtohet, siç do të trajtohet infrastruktura që do kalojë në Ministrinë e Drejtësisë, por problemi më i madh që lidhet me këtë çështje që po diskutojmë, ka të bëjë me faktin që në dhomat e paraburgimit ka ende shumë të paraburgosur, të dënuar me vendime të prera nga gjykata, që në asnjë mënyrë nuk duhet të mbahen në këto mjedise”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj