Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas urdhrit për masa të forta sigurie dhënë nga kryeministri Nano në komitetin ndërministror të sigurisë kombëtare, policia shqiptare po shqyrton me emergjencë se kush janë shërbimet policore që do të kalojnë në gatishmëri. Ministri i Rendit Luan Rama bën publik faktin, se është mobilizuar e plotë garda e Shqipërisë, për mbrojtjen e personaliteteve, si dhe tashmë në gatishmëri janë strukturat e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë porte dhe aeroporte.

Luan Rama:- “Pas aktit terrorist të vrasjes së kryeministrit Xhinxhiç në Beograd, sigurisht që ne kemi ridimensionuar të gjitha angazhimet dhe masa të veçanta të shërbimit të gardës dhe të policisë së shtetit dhe po gjykojmë rast pas rasti, çdo informacion që kemi në këtë funksion. Po shqyrtojmë atë çka tha, kryeministri dje në mbledhjen e komitetit ndërministror të sigurisë kombëtare, se cilët shërbime të policisë do të përshkallëzohen sipas autoritetit që ligji i jep ministrit dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë në shërbime të përforcuara, në nivele të ndryshme të gatishmërisë”.

Kështu qeveri tashmë është përfshirë hapur në një plan sigurie anti-terror, nisur kjo nga situata në rajon dhe më gjerë, sipas ministrit Rama.

Gazetarja:- Ka sinjale për veprimtari konkrete në Shqipëri?

Luan Rama:- “Po natyrisht që po të kishte sinjale, ne nuk do të prisnin të pyeste media për këtë gjë, do të kishim vepruar dhe do të kishim reaguar në mënyrë korrekte, siç kemi bërë edhe me neutralizimin psh. të veprimtarisë të individëve të shfaqur në qëndrime, që bien ndesh më qëndrimet e politikës shtetërore, pra elementë të njohur në veprimtari të tilla si AKSH”./tvklan.al