Shqipëria vazhdon të ketë shifra të larta përsa i përket vdekshmërisë foshnjore.

Kjo pohohet edhe nga vetë kreu i shëndetësisë shqiptare, Anila Godo, gjatë certifikimit të disa mami infermiereve në lidhje  mënyrën se si duhet të trajtohen foshnjat që lindin me probleme, mbajtjen ne parametrat e duhur të frymëmarrjes, temperaturës, nivelit të sheqerit në gjak e të tjerë.

Anila Godo: “Një pikë që na rrit shumë sensibilitetin është shëndeti i nënës dhe fëmijës jo për atë që përfaqëson kjo fushë për të ardhmen e vendit, por dhe për faktin se akoma kemi shifra mortaliteti, të cilat nuk na bëjnë të krenohemi të mortalitetit foshnjor, që nuk na bëjnë të krenohemi. Dijenitë që keni marrë në këto trajnime t’i vini vërtet në jetë për të ndryshuar gjithmonë e për mirë indekset e këtyre aktiviteteve dhe të ulni sa më shumë vdekshmërinë foshnjore”.

Në trajnimin e financuar nga OSBE, morën pjesë mami-infermierë të disa materniteteve të vendit.

Drejtori i maternitetit, mbretëresha Geraldinë, ku edhe u krye ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, u kërkoi mamive të jenë të vëmendshme dhe të përkushtuara në punë.

Halim Kosova: “Sot jemi mbledhur për një ceremoni të shkurtër, kuptimplotë e cila përfaqëson mbylljen e ciklit në vazhdimësi, i cili ka të bëjë me atë çka duhet bërë për fëmijën e porsalindur që asnjë nga ne në punën e përditshme të mos humbë asnjë sekondë sepse çdo sekondë tek ne përkthehet jetë”.

Ndërkaq ambasadori i OSBE-së, i cili përgëzoi qeverinë për uljen e numrit të fëmijëve të padëshiruar në zonat rurale, u shpreh gjithashtu se OSBE do të vazhdojë të mbështesë në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me nënat e reja dhe foshnjat, veçanërisht ato të braktisurat./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami