Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj plagosjes se mjekut Agron Ylli, në një ngjarje të ndodhur paraditen e së shtunës në kryeqytet. Në një konferencë të posaçme për shtyp ministrja Anila Godo e dënoi sulmin, për te cilin tha se erdhi si pasoje e refuzimit të korrupsionit nga mjeku që nuk pranoi të shkelte rregullat.

Anila Godo: “Agron Ylli u godit pasi refuzoi të shkelte rregullat dhe detyrën. Jemi të gatshëm të asistojmë në çdo gjë që do nevojitet e kërkohet. Këshilli i ministrave po na jep tërë mbështetjen e duhur që të ndreqim në kohën më të shkurtër gjithë mangësitë e sotme si dhe për të hapur udhët që e çojnë mjekësinë tonë drejt standardeve europiane”.

Duke pranuar ekzistencën e problemeve në sistemin shëndetësor, ministrja tha se ngjarje të tilla ekstreme kanë ardhur si pasojë e perceptimit negativ që ekziston tek njerëzit.

Anila Godo: “Ka ende aty, këtu mjekë që zhvatin pacientin në këmbim të shërbimeve që në fakt ua siguron shtetit, por në përgjithësi, e këtë e deklaroj me bindje si pjesë e këtij komunitetit. Mjekët janë të ndershëm e të devotshëm dhe vënë me dëshirë jetën e tyre në shërbim të qytetarit. Na duhet të dalim me doemos nga psikoza për ta parë mjekun në një prizëm tjetër”.

Ministrja Godo foli edhe për gjendjen e mjekut, duke thënë se ai tashmë është jashtë rrezikut, çka u konfirmua edhe nga drejtoresha e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, Gjeorgjina Kuli, pas vizitës që ajo i bëri atij në spital.

Gjeorgjina Kuli: “Gjendja është në përmirësim, për rregulla mjekësore neve detyrohemi 24 orë ta mbajmë jo zgjuar pacientin pra nën frymëmarrje të drejtuar, duket që është një ecuri e mirë, pak komplikacione”.

Mjeku Agron Ylli, u qëllua ditën e shtunë dy herë me thikë në klinikën e tij private nga Bujar Valiasi, pasi refuzoi të lëshonte një raport për bashkëshorten e agresorit, i cili u arrestua në pak kohë nga policia./tvklan.al