Parlamenti miratoi tre marrëveshjet që parashikojnë rregullimin e marrëdhënieve mes institucioneve fetare dhe shtetit. Pas aprovimit që deputetët e opozitës dhanë edhe në komisionin e ligjeve ditë më parë për të tre draftet, që kanë si objekt kryesor përmbushjen e 5 elementëve.

Projektligjet përcaktojnë rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes shtetit dhe tre komuniteteve fetare, atij mysliman, beshktashian dhe ortodoks. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, autoriteti i të cili ishte ngarkuar me hartimin e të tre drafteve tha në parlament se pas nënshkrimit të marrëveshjes së nënshkruar në 2008 me komunitetet fetare, projektligjet që morën dhe konsensusin  e opozitës mund të cilësohen si marrëveshje historike.

Ylli Pango: “Qeveria Berisha ka bërë në rastin konkret vërtetë një nga punët e saj më të mira. Pasi në këto komunitete padyshim për një kohë të gjatë të respektuara, po jo të ligjëruara në atë sens që do dëshironim neve dhe që po realizojmë sot. Neve kemi arritur padyshim në nivelet më të larta të vendeve europiane. Mjafton t’iu vë në dukje se ligj për fenë dhe marrëveshje të tilla për fenë nuk kanë të gjithë vendet evropiane. Pra këtu ne jemi prekusorë të raporteve nga më të mirat që gjithashtu pasqyrojnë harmoninë e feve në vendin tonë dhe raportin shumë të mirë të shtetit.”

Por çfarë qëndron në themel të projektligjeve që synojnë të rregullojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit mes institucioneve fetare dhe shtetit. Në të tre draftet parashikohet garantimi dhe respektimi i të drejtave të sanksionuara në kushtetutë dhe ligjeve në fuqi për lirinë e ndërgjegjes dhe ushtrimit të fesë si element thelbësor.

Nëpërmjet tyre synohet gjithashtu njohja dhe garantimi i pa prekshmërisë së institucionit të kultit. Për aq kohë sa veprimtaria e tij nuk bie në kundërshti me kushtetutën. Kjo do të thotë se shteti u njeh komuniteteve fetare të drejtën e pronës mbi sendet të paluajtshme dhe të luajtshme me të gjithë elementët përbërës të tyre.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e komuniteteve fetare në Shqipëri për kthimin dhe kompensimin e provave të veta.

Përsa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare, objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës sipas projektligjeve duhet t’u kthehen në pronësi komuniteteve fetare, të mbrohen dhe të trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro