Sëmundja e ngritjes së ndërtimeve pa leje buzë rrugëve kombëtare krahas segmenteve të vjetra ka prekur edhe akset e reja të inauguruara vetëm pak kohë më parë. Rasti më i fundit është ai në rrugën e re të Rinasit. Siç shihet nga këto pamje filmime, në hapësirat e lira të kësaj rruge që shërben si portë hyrëse ndërkombëtare ka nisur projektimi dhe ngritja e dhjetëra ndërtimeve pa leje të ideuara për biznese, kryesisht ata të tregtimit të karburanteve.

Në pak kohë ky fenomen i njohur si mjaft problematik, i hasur më parë në autostradën Tiranë-Durrës po pushton edhe këtë aks. Siç shihet në 100 m lartësi janë ngritur 2 karburante, por me ndërhyrjen që kryejnë privatët pa respektuar asnjëlloj kriteri për më tepër duke sfiduar haptazi ligjet dhe autoritetet garantë të tyre, rruga pëson dëmtime të rënda.

Krahas dëmtimit apo problemit të ndërtimeve të pakontrolluara që nuk njohin frena në akset kombëtare, këto ndërtesa kthehen edhe në një burim të sigurt aksidentesh për shkak të hyrje daljeve të paligjshme që krijojnë në këtë segment të pa parashikuara në projektin e tij.

Kohë më parë kryeministri Berisha ka premtuar moslejimin e ndërtimeve në afërsi të akseve rrugore kombëtare, por pavarësisht këtij deklarimi asgjë nuk ka ndryshuar si në rastin konkret në rrugën e Rinasit apo në autostradën në ndërtim Lushnje-Fier, ku ndërtimet pa leje po lulëzojnë njëkohësisht me ecurinë e punimeve./tvklan.al

Gazetar: Fatos Hakorja