Gjithmonë energjik dhe me një buzëqeshje në fytyrë, Reiner Spankuch, vullnetari më i vjetër në Euro 2024, ndihmon tifozët e futbollit që vijnë nga e gjithë Evropa.

Megjithatë, ndryshe nga numri i madh i adoleshentëve që dolën vullnetarë në Euro 2024 të kësaj vere në Gjermani, 89-vjeçari Spankuch merr shpesh herë vëmendjen e tifozëve për shkak edhe të moshës së tij e cila për të ëshët thjesht dhe vetëm një numër. Reiner, nga qyteti gjerman lindor i Leipzig, filloi të merrej me punë vullnetare në Kupën e Botës në Gjermani 2006 pasi doli në pension.

”Kam filluar të merrem me punë vullnetare në vitin 2006. Isha në Kupën e Botës në Leipzig. Dhe pse pikërisht atherë? Kur arrita moshën e pensionit, doja të kisha një punë dhe të isha i angazhuar, të lëvizja dhe të isha mes njerëzve. Kam punuar për shumë evente të fubollit pothuajse çdo vit që nga viti 2006, që do të thotë kam bërë punë vullnetare 6 deri në 7 evente në vit. Dhe tani jam sërish në qytetin Leipzig duke u marrë në menaxhimin e vizitorëve dhe duke i shoqëruar në udhëtimet me autobus për në ndeshjet jashtë vendit.”

Që pas daljes në pension ai ka dalë si vullnetar për më shumë se 10 vjet në klubin e tij lokal RB Leipzig dhe madje ka udhëtuar në Las Vegas për të ndihmuar vullnetarizmin në një turne pingpong-u.

Por çfarë është ajo që e motivon atë të merret me punë vullnetare?

”Ajo që ka më shumë rëndësi për mua është mbi të gjitha, marrëdhënia me njerëzit, me fansat. Kjo është ajo që të mbush shpirtin. Dhe kam përvoja të mrekullueshme. Për shembull, kam punuar me njerëz që i kam njohur më herët, duke përfshirë edhe vullnetarë. Nuk i mbaj mend të gjithë emrat, por fytyrat po. Këtu kam pasur disa eksperienca të mira”.

Për gazetarët e agjenicsë së lajmeve ‘Reuters’ ai thotë se do të kontribuojë që Euro 2024 të shkojë sa më mirë dhe të jetë një event i suksesshëm.

”Epo, natyrisht të rinjtë janë  më të shkathët. Por ajo çfarë ka rëndësi kur merresh me punë vullnetare është që të mund të komunikosh me të tjerët. Unë jam mirë me njerëzit, kjo është e rëndësishme. Mund ta kuptoj nëse kanë ndonjë problem. Ky është arti i vullnetarëve, të kuptojë nëse mysafiri apo tifozi ka nevojë për ndihmë. Dhe si një pjesë e vogël e mozaikut, dua të ndihmoj që këto ngjarje të jenë të mira dhe të suksesshme.”

Me një përvojë të gjatë në shumë evente të futbollit, Reiner thotë se atmosfera në Euro 2024 ka qenë “e jashtëzkonshme”.

Madje 89-vjecari i cili gjatë muajit gusht do të mbushë 90-vjeç ka edhe tifozët e tij të preferuar të cilët kanë sjellë një atmosferë  shumë të veçantë në qytet.

”Atmosfera ka qenë edhe më e mirë se në 2006. Do të veçoja tifozët holandezë dhe francezë. Pra, ata mendoj se kanë sjellë një atmosferë vërtetë të veçantë, pavarësisht shiut në fillim moti ka qenë shumë i mirë. Entuziasmi është i madh, edhe tek njerëzit. Edhe ne si vullnetarë jemi shumë të lumtur…”

Klan News