Në veri të Kosovës janë shfaqur posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.

Posterët e tillë janë hasur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Poster i vendosur në Zveçan. 30 qershor 2024.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kanë hapur rast për “nxitje të urrejtjes”.

“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, tha Elshani.

Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por “policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”.

Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani tha se është e mirë. Radio Evropa e Lirë ka parë disa zyrtarët policorë në Mitrovicë të Veriut duke larguar këta posterë.

Zyrtarët policorë duke larguar posterët e vendosur në Mitrovicë të Veriut.

Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin.

Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që t’ia dorëzojë Radoiçiçin dhe grupin e tij autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Këtë kërkesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri edhe gjatë rundit të fundit të dialogut – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – më 26 Qershor.

BE-ja tha se kjo ishte një prej tri kushteve që Kosova ka vendosur për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë./REL