Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton në orën 16:00 për projekt-rezolutën për genocidin në Srebrenicë në vitin 1995.

Shtetet perëndimore propozojnë që 11 Korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave.

Mbështetje për draftin kanë shprehur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve.

Në Korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Serbia po lobon në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën duke kërkuar tërheqjen e saj.

Kjo ndodh edhe pse në tekst nuk përmendet as Republika Sërpska dhe as Serbia. Në vitin 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e konsideroi gjenocid masakrën e Srebrenicës duke konstatuar se Serbia nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Klan News