Me një gjuhë arrogante dhe pa asnjë pendesë mjekja e akuzuar e “Onkologjikut” u përball me gazetarët në hyrje të gjykatës. Fillimisht Alketa Pere i kërkoi llogari medias për fotot e publikuara duke aluduar për montazh.

Alketa Pere: Prit një minutë mi, se më keni mërzitur ju gazetarët, më keni shtrembëruar fotot. Më interesojnë dhe ato fotot. Duhet të ruhet etika, për atë punë keni mbaruar.

Mjekja hodhi poshtë akuzën e ngritur nga prokuroria për shpërdorim detyre. Deklaroi se nuk ka dërguar asnjë pacient me tumor në klinikën private dhe kërkoi që të hetohen këto të fundit.

Alketa Pere: Kurrë në jetën time se kam bërë këtë gjë, që pacienti me kancer të shkojë në privat. Duhet të trajtohet në “Onkologjik”, duhet të hetohen spitalet private për aktivitetin që kryhet. Duhet ndryshim rrënjësor në “Onkologjik”. Sot kam ardhur të mbroj veten time, jam e pafajshme. Unë nuk punoj në asnjë klinikë private.

Pere pranoi se në spitalin “Onkologjik” mund të ketë raste korrupsioni duke i justifikuar çuditërisht me gjendjen e vështirë ekonomike.

Alketa Pere: Mund të ketë shkelje diku, se personat mund të jenë të varur nga ekonomia, por duhet të sqarohen mirë gjërat se kush i ka dërguar pacientët në privat.

Teksa futej në gjykatë mjekja deklaroi se do të vijonte punën në spital, por gazetarët i kujtuan se ajo është pushuar. Por kjo e vërtetë nuk i pëlqeu, duke ofenduar sërish gazetarët.

Alketa Pere: Do vazhdoj të shkoj në “Onkologjik”. Kush je ti ore, ti je askushi.

Para gjykatës për komunikimin e masës u paraqit dhe mjeku Edmond Gashi.

Edmond Gashi: Unë bëj vetëm punën zotëri…

Ndërsa mjekja Alketa Pere pasi doli nga gjykata dha këtë deklaratë për mediat

Alketa Pere: Sa i përket mesazhit nuk isha unë Alketa, por ishte Alketa administratorja. Alketa Ilo, është administratorja…

Mjekët akuzohen për shpërdorim detyre pasi nuk i kanë trajtuar në spitalin “Onkologjik” pacientët me tumor, por i kanë dërguar në klinikën private “Megis”.

Klan News