Në kuadër të operacionit policor të koduar “Territori i pastër” janë asgjësuar 13 194 fidanë e bimë kanabis në qarkun e Shkodrës.

Bazuar në koordinatat e siguruara me parë nga monitorimet me dron të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është bërë e mundur që nëpërmjet disa fluturimeve me helikopterin e Forcave Ajrore, 80 punonjës policie të kryenin kontrolle në vendin e quajtur “Rrethi i Brashtës”. Gjatë kontrolleve në këtë zonë u gjetën dhe u asgjësuan 13 194 fidanë e bimë narkotike kanabis.

Ndërkaq, gjatë fazave të mëparshme të megaoperacionit “Territor i pastër”, përgjatë këtij 6-mujori, shërbimet e DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë asgjësuar rreth 137140 fidanë e bimë narkotike kanabis, si dhe kanë arrestuar dhe proceduar 41 shtetas. Operacioni nga ajri dhe toka do vijojë./tvklan.al