Me sloganin “O sot, o kurrë”, opozita do të protestojë të enjten para parlamentit, paralelisht me mbajtjen e seancës plenare. Vendimin e bëri publik lideri historik i demokratëve Sali Berisha, i cili tha se largimi i Kryeministrit Rama është betejë për jetë a vdekje e opozitës.

“Ndaj dhe qytetarë dhe qytetare, ju bëj thirrje ditën e enjte në orën 11:00, të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama, kalimin në një qeveri teknike dhe natyrisht zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Ky përshkallëzim i aksionit të opozitës vjen pas transmetimit të investigimit të Rai 3, si dhe shkrimit të gazetës gjermane Bild për Shqipërinë, që sipas Berishës faktuan në sytë e botës se Shqipëria është një shtet i mafias dhe drogës.

“Edi Rama, vëllai i tij Olsi, qeveritarët, leitnantët damkosen përfundimisht si bosët më të rrezikshëm të mafias në Europë.”

Edhe për këtë protestë, skenari i opozitës do jetë i njëjtë me ato të tubimeve të mëparshme, ku një pjesë e deputetëve do jenë në seancë plenare, ndërsa pjesa tjetër do mbështesë qytetarët e thirrur në protestë jashtë.

Tv Klan