Kryeministri hungarez Viktor Orban paralajmëron se me hapat që po hidhen nga aleatët e NATO-s për konfliktin në Ukrainë, Europa është vetëm pak centimetra larg luftës së madhe me Rusinë.

Në një intervistë për radiot e vendit të tij, Orban, ndër të paktët miq të mbetur të Vladimir Putinit mes aleatëve perëndimorë u përqëndrua tek faza aktuale ku gjithnjë e më shumë vende të NATO-s po lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre të fuqishme, për të kryer sulme brenda në Rusi. Ashtu siç ka paralajmëruar edhe Moska, për Orbanin, ky është një hap drejt përfshirjes së NATO-s në luftë.

Ndalesën për përdorimin e këtyre armëve për të sulmuar në brendësi të territorit rus e hoqi për armët e saj këtë të premte edhe qeveria gjermane, një prej kundërshtarëve më të mëdhenj dhe të pakët të mbetur brenda aleancës.

Sipas prestigjiozes amerikane “Politico”, edhe presidenti Xho Bajden është në prag të zyrtarizimit të heqjes së ndalimit për armët amerikane, madje “ok-i” është dhënë tashmë fshehurazi, shkruan kjo media.

Tv Klan