Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Kryetari i komisionit parlamentar të verifikimit të pasurive Luan Shahollari ka paraqitur në seancën parlamentare përfundimet e raportit të pasurive të deputetëve. Ai ka nënvizuar se disa deputetë nuk kanë pranuar të deklarojnë pasuritë e tyre. Nga 20 deputetë që s’kanë bërë publike pasurinë e tyre, 6 janë socialistë, 8 të Partisë Demokratike, 3 të PBDNJ, 2 legalistë dhe një deputet i pavarur.

Sipas Shahollarit deri tani nuk është vënë asnjë gjobë. Ndërkohë nga deputetët është kërkuar të funksionojnë gjobat për ata që s’deklarojnë pasurinë, si dhe raporti të bëhet publik për të gjithë deputetët. Më pas seanca e pasdites së sotme ka vijuar me interpelancën e ministres së Transportit Ingrid Shuli. Ajo ka sqaruar se çdo të bëhet me shtesat e fondeve të kërkuar nga firmat e huaja që kanë marrë përsipër ndërtimin e segmenteve rrugore në Shqipëri.

Drejtoria e Rrugëve tha Shuli, do të shqyrtoj me kujdes kërkesat dhe deri tani është aprovuar shtesa vetëm për segmentin Durrës – Rrogozhinë. Ministrja Shuli ka pranuar se cilësia e projekteve të këtyre segmenteve ka lënë për të dëshiruar.

Ndërkohë është rihapur përsëri çështja e vendeve të deputetëve të PD-së. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Jemin Gjana ka protestuar se kryesia e parlamentit dhe vetë kryeparlamentari Gjinushi, kanë spostuar deputetët e PD.

Gjinushi u shpreh se këtë skemë e ka sjellë vetë zoti Gjana, por mesa duket tha ai për këtë i paskan bërtitur eprorët. Debati ka vzhduar me replika nga të dyja palët derisa Gjana u largua nga salla për tu rikthyer më pas./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego