Një 43-vjeçar u plagos me armë zjarri këtë të diel në Kavajë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:50, në fshatin Luz i Vogël. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se 43-vjeçari ka marrë një plagë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Sa i takon autorëve të dyshuar të ngjarjes, ata janë 2 vëllezër të moshës 32 vjeç dhe 26 vjeç, banues të fshatit. Aktualisht autoritetet po punojnë për kapjen e tyre. Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë një konflikt për motive të dobëta.

“Më datë 30.06.2024, rreth orës 18:50, në fshatin Luz i Vogël, pas një konflikti që dyshohet për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Rrogozhinë.  Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar, konkretisht dy vëllezërit F. D. alias B. T., 32 vjeç, dhe V. T., 26 vjeç, banues në fshatin Luz i Vogël, Kavajë. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për kapjen e dy vëllezërve të dyshuar si autorë të plagosjes së 43-vjeçarit, i cili ndodhet për ndihmë mjekësore në spital jashtë rrezikut për jetën”, tha policia e Kavajës në njoftim.

Ndërkohë, një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit./tvklan.al