Shëtitorja e Pogradecit ishte plot këtë fundjavë. Nuk ishin vetëm banorë të zonës, por edhe shumë vizitorë nga qytete të tjera të vendit por edhe nga shtete të rajonit e turistë të huaj.

Duke shfrytëzuar kushtet e mira të mira të motit shijuan edhe ujin e liqenit. Jo shumë larg nga bregu u organizua edhe ky panair me automjete retro. Një prej tyre i përket vitit 1920 dhe u soll në panair nga një qytetar nga Ohri.

“Makina është gjetur në gjol, në liqen. E kam nxjerrë pjesë-pjesë dhe më ka marrë shumë kohë, mirëpo kryesorja është që është e rregulluar”, tha një qytetar.

“Unë jam sot në këtë aktivitet në Pogradec me një ‘Volovo Amazon’ të vitit 1966 prodhim i Suedisë” tregon një tjetër qytetar.

U zhvilluan edhe aktivitete të tjera ku në një prej tyre mori pjesë edhe xhongleri nga Kosova Agim Agustini. Ky i fundit arriti që të vendoste një rekord të ri “Guiness” pasi duke xhongluar topin me kokë hoqi nga trupi 27 bluza, 4 më shumë se në vitin 2022 kur ishte rekordi i fundit i vendosur nga ai.

Me organizime të tilla kishin zgjedhur autoritetet lokale për të bërë çeljen e sezonit të ri veror. Pritshmëritë gjatë këtyre muajve janë të larta, kur qyteti liqenor pritet të presë një numër të lartë turistësh. Sipas operatorëve turistik këtë vit është rritur numri i turistëve të huaj dhe njësitë akomoduese në këtë qytet do të jenë plot.

“Kemi një kontratë me rreth 18 mijë gjermanë që do të vijnë vetëm këtë vit në Pogradec. Dhe ata kanë filluar të vijnë që në Maj dhe sigurisht që kjo do të vazhdojë të jetë deri në Nëntor,” tha një operator turistik.

Pogradeci nuk zgjidhet vetëm për liqenin, por edhe për turizëm kulturor dhe nga ata që janë të apasionuar pas sporteve të aventurës.

Klan News