Në muajin Shtator priten të përfundojnë punimet për rindërtimin e lagjes “5 Maji”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në godinat e reja, ndërsa krahas vlerësimeve për punën e bërë, nuk i kurseu dhe ironitë dhe akuzat protestat e opozitës para Bashkisë së Tiranës.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Plani është që ne duam të mbarojmë më kolaudimin e le të themi të kësaj pakete tjetër me 50 apartamente. Me të mbaruar atë do të hedhim shortin. Ja vlen çdo sherr, çdo betejë, çdo debat se në finale është puna ajo që flet. Edhe unë besoj fort që një arsye se përse sulmohet dhe anatemohet Bashkia e Tiranës është pikërisht sepse kundërshtarët tonë nuk e bëjnë dot këtë punë. As nuk e bënin dot kur e kishin mundësinë për të ndërtuar nëj shkollë e jo më të bëjnë 42 shkolla dhe të japin sot 784 apartamente për të gjithë zonën e “5 Majit” që tani e quajmë Bregu i Lumit.

Veliaj tha se përfitues nga rehabilitimi i zonës do të jenë pronarët e tokës, edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pasur legalizim.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Askush nuk ngelet i humbur nga tërmeti. Fitojnë edhe ata që transferohen në shtëpitë e reja dhe fitojnë edhe pronarët e tokës që pjesa më e madhe ishin ose shtëpi të palegalizuara ose të ndërtuara keq, pa urbanistike, pa infrastrukturë.

Kryebashkiaku tha se shorti për ndarjen e apartamenteve do të bëhet në muajt e verës, në mënyrë që në Shtator banorët të jenë gati për të hyrë në shtëpitë e reja.

Klan News