Policia e shtetit do të fillojë së shpejti një super aksion për të ndaluar mbjelljen dhe kultivimin e lëndëve narkotike. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, aksioni do të jetë i shtrirë në 3 faza, ku e para do të konsistojë në sensibilizimin e opinionit publik, faza e dytë në kontrollin e gjithë territorit të republikës, ndërsa në fazën e tretë operacioni do të finalizohet me arrestimin e shkelësve të ligjit.

Ahmet Prençi: “Ka ardhur koha që këto masa të tjera të japin rezultatet e pritura në tërë vendin, për të fshirë Shqipërinë nga harta e vendit të origjinës për prodhimin e bimëve narkotike. Fenomeni Lazarat mbetet dhe sot e gjithë ditën shqetësues dhe pavarësisht masave të marra nga policia e shtetit dhe organet e qeverisjes lokale, situata në këtë komunë vazhdon të mbetet problematike.”

Ndërkaq kryetari i Komunës Lazarat Dasho Aliko, u ka kërkuar bashkëpunimin e forcave të rendit për të ndëshkuar kultivuesit e bimëve narkotike.

Dasho Aliko: “Nuk do të thotë që komuna e Lazaratit, si shumë komuna të tjera të Shqipërisë është në një gjendje të keqe ekonomike dhe rruga e vetme e zgjidhjes duhet të jetë kultivimi i bimës narkotike. Ne jemi shtetas shqiptar, jetojmë në territorin e Shqipërisë dhe duhet të jemi zbatues të ligjit ashtu siç jemi edhe kërkues të të drejtave që i takon atij komuniteti.”

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës Spiro Ksera tha, se në rajonin jugor mbjellja e bimëve narkotike ka tendencë në rënie, por megjithatë në disa zona fenomeni i kultivimit të kanabis sativa paraqitet ende problematik./tvklan.al