“Të ecësh përdore vetëm me një fëmijë, nuk është e lehtë, sidomos për syrin e njerëzve në fillim.”

Jonida nga Lezha është nënë e një vajze 7-vjeçare dhe prej 5 vitesh është e divorcuar. Ndërsa gjatë ditës i duhet të punojë, vajzën ka vendosur ta sjellë në qendrën “Fuqizojmë Komunitetin”, ku ka mundësi të ndjekë pa asnjë kosto orë edukative si dhe kampin veror.

“Eshtë sikur të jetë hapur një dritare e re për vajzën, ndihet shumë e lumtur, është më e sjellshme, më e dashur, më bashkëpunuese, e shikoj që ka ndryshuar shumë me pjesën e edukimit.”

Jo vetëm nënat e divorcuara, por të shumtë janë grupet vulnerabël që për shkak të pamundësive financare kanë nevojë për shërbime. Një qendër si kjo në Lezhë me në fokus komunitetet në nevojë, zhvillon aktivitet edhe në bashkitë Kurbin dhe Durrës.

Qendrat janë pjesë e Programit “Fuqizojmë komunitetin” që financohet nga USAID/Shqipëri dhe zbatohet nga UNDP në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë respektive që kanë vënë në dispozicion ambientet. Programi është 3-vjeçar, por bashkitë sigurojnë që qendrat do vazhdojnë operimin edhe pas vitit 2026 pasi nevojat e komunitetit janë të shumta.

Gati 1 mijë persona, fëmijë e të rritur nga komunitetet vulnerabël janë mbështetur në të treja bashkitë me shërbime si terapi, logopedi, programe passhkollore, fizioterapi, këshillim psikologjik, programe mentorimi për punësim etj. Qendrat kanë në fokus të veçantë edhe edhe viktimat e dhunës në familje.

Tv Klan