Edhe kjo fundjavë mbipopulloi bregdetin e Durrësit. Shumë qytetarë kanë zgjedhur të pushojnë në qytetin bregdetar duke shfrytëzuar motin me temperaturat e larta.

Nuk janë vetëm vizitorë vendas por edhe të ardhur nga rajoni si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shumë prej tyre janë vizitues të rregullt të bregdetit të Durrësit. Ata vlerësojnë kushtet e përmirësuara në plazh këtë vit.

“Kushtet janë shumë të mira. Ka bollëk, ka shumë qytetarë. Jemi shumë të kënaqur,” tha një pushues.

Por pushuesit ankohen për çmimet të cilat sipas tyre janë më të shtrenjta këtë sezon.

“Çmimet janë më të shtrenjta sivjet se sa vjet,” tha një pushues.

“Një vezë e ble këtu tre i merr në Kosovë, është pak shtrenjtë. Edhe rënia e euros edhe vitin e kaluar edhe këtë vit, kjo ndikon,” shtoi një tjetër.

Durrësi është një nga qytetet më të frekuentuara në vendin tonë nga mijëra turistë. Ata e zgjedhin jo vetëm për detin por edhe për atraksionet kulturore.

Sipas operatorëve turistikë fluksi i vizitorëve është më i lartë dhe njësitë akomoduese  janë të rezervuara plotësisht gjatë muajit Korrik e Gusht.

Klan News